Gjergj Vyshka 17.02.2015 12:05
Pogradeci-Sopoti është ndeshja e radhës, që të shtunën do të luhet në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Liqenorët e Ardjan Abazit dje kanë nisur përgatitjet e tyre, ndërsa të gjithë janë zotuar për të marrë fitoren. Madje duket sikur përgatisin terrenin e marrjes së fitores me çdo kusht, ndërsa kanë paralajmëruar nëpërmjet faqes së tyre në “Facebook” të klubit të futbollit Pogradeci se librazhdasit do t’i presë “ferri” në qytetin buzë liqenit.
Një “ish” librazhdas, si Frebjol Leka mendon se Pogradeci do të jetë fitues, edhe sepse tashmë ai mbron ngjyrat e liqenorëve. “Ndeshja me Sopotin? Tani jam pjesë e Pogradecit dhe besoj se ekipi liqenor do ta fitojë takimin, pasi këtu punohet më shumë dhe lojtarët japin gjithçka për fanellën, – ka deklaruar ai. – Dalëngadalë jam mësuar me këtë qytet dhe ndihem mirë këtu”.
Ndërkohë Andi Çela i është kthyer dhe një herë sfidës së luajtur të shtunën në Gjirokastër, atje ku sipas tij liqenorët e meritonin barazimin. “Në Gjirokastër duhet të kishim marrë të paktën një barazim. Tani po përgatitemi fort për takimin e radhës me Sopotin dhe për ta nxjerrë atë me sukses”, – ka përfunduar futbollisti i skuadrës pogradecare.