Gjergj Vyshka 03.05.2015 14:05
“Unë kam plot 47 vjet që merrem me notin që në vitin 1968. Ka qenë një pasion i kahershëm për t’u marrë me notin, ndërsa do të isha pranë pishinave, apo pse jo dhe në Liqenin artificial”, – nis të rrëfejë Sulejman Poda. Mirëpo Poda është një figurë shumëplanëshe, sepse është futbollist, është alpinist, është skiator, pa harruar që është një Mjeshtër i madh në notin shqiptar.
Për çudi është ndër ata të rinj tiranas që ka dalë në futboll nga duart e ustait bardheblu, Xhavit Demneri. “Kam qenë 12 vjeç kur kam nisur të merrem me futbollin, ndërsa një mjeshtër si Xhavit Demneri jo vetëm që dinte t’i stivoste, apo t’i seleksiononte brezat, por dhe e mbante gjallë këtë traditë”, thotë Poda, i cili i kalon me radhë të gjitha grupmoshat derisa një ditë është në ekipin e të rriturve.
“Unë, – thotë Poda, – kam luajtur me të rinjtë, ndërsa kam qenë edhe kapiten i ekipit, ndërsa kemi pasur trajner dhe Remzi Bulkun.” “Më pas kam luajtur me shpresat dhe me të rriturit kam qenë pjesë e formacionit të Tiranës më 1964 në një ndeshje me Elbasanin në të cilën ne kemi barazuar 2-2”, – shton Sulejmani. Por kontributi i Podës në futboll është edhe tek Flamurtari.
Kjo sepse duke qenë ushtar në Vlorë luan për fanellën kuqezi në sezonin 1963-1964. E duket se këtu merr fund karriera e tij si futbollist, sepse noti do të ishte ajo që do ta tërhiqte më fort në kushtet kur do të kishte përkrah si miq të ngushtë Arben Jorgonin dhe Esat Muzinën. Dhe nëpërmjet alpinizmi dhe skive, Poda do të ishte si Mjeshtër Sporti, ashtu dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit.
Por për kontributin e tij si pjesë e fanellës bardheblu, Sulejman Poda ka marrë dhe titullin nga shoqata Tirana “Krenaria e Tiranës…”