AlbanianSport.com 31/10/2018 12:30
ASNN – Pas 10 vjetësh dominim absolut në futbollin botëror, dyshja e famshme Lionel Mesi-Kristiano Ronaldo nuk do të jenë favoritë këtë vit për të fituar “Topin e Artë” nga “France Football”. Shkak janë mungesa e trofeve më të rëndësishëm të vitit. E ndërsa njëri (Mesi) ka fituar titull “kampion” në Spanjë, por ka humbur Ligën e Kampioneve, tjetri ka fituar Ligën e Kampioneve, por nuk ka fituar kampionat. E si të mos mjaftonin këto, asnjëri prej tyre, pra as Mesi e as Ronaldo, nuk arriti të fituar fitojë trofeun e Botërorit në Rusi.
Dhe është një nga legjendat e futbollit evropian, Mishel Platini, ai ka bërë një zgjedhje të çuditshme. Ai “voton” për një mbrojtës, francez sigurisht, dhe merr për bazë zgjedhjen e Fabio Kanavaros në vitin 2006. Dhe Platini ka zgjedhur si më të mirin, një fitues Ligën e Kampioneve dhe njëherësh fitues të Botërorit, mbrojtësin e Francës, Rafael Varane. Duke folur për “RMC”-në, Platini dha argumentet pse e meriton mbrojtësi i Realit dhe përfaqësueses franceze. “Asnjëherë si këtë vit, – tha francezi, – nuk ka qenë kaq e lehtë të zgjedhësh kush do të jetë fituesi i “Topit të Artë”.
“Ka vetëm një futbollist i cili ka fituar Ligën e Kampioneve dhe Botërorin këtë vit dhe ai është Varane, – vijoi ish-presidenti i UEFA-s për median në fjalë. – Zakonisht ekziston debati Kristiano Ronaldo-Mesi. Por këtë vit ka një lojtar që i ka fituar të gjitha dhe ai quhet Rafael Varane. Për më tepër është një lojtar i shkëlqyer dhe unë do të kisha votuar për të. Rezultatet janë e vetmja gjë objektive, çdo gjë tjetër është subjektive. Mund të ketë opinione të ndryshme për Grizman, Mbape, Zhiru, Loris, Modriç… Por i vetmi që ka fituar çdo gjë është Rafael Varane.”
“Mos harroni që në vitin 2006 ishte një mbrojtës, Fabio Kanavaro, ai që fitoi “Topin e Artë”. Varane ishte më i miri, absolutisht”, – përfundoi Mishel Platini.