AlbanianSport.com 07/02/2024 15:25
ASNN – Pishtari olimpik këtë vit do të mbahet në Francë edhe nga një shqiptar, Adrian Suka, i cili, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar thekson se përzgjedhja për të mbajtur pishtarin olimpik është vlerësim për kontributin e tij në komunitet. Gjatë verës, në kryeqytetin e Francës, Paris, do të zhvillohen Lojërat Olimpike Verore dhe, pjesë e veprimtarive që I paraprijnë, është edhe rrugëtimi i Pishtarit Olimpik nëpër vendin organizator.
Dhe ky pishtar olimpik këtë vit do të mbahet edhe nga një shqiptar, Adrian Suka, i cili, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar ka kujtuar edhe çastin e largimit nga vendi pas 33 vitesh. “Pas ndeshjes që humbëm më 29 mars 0-5 përballë Francës vendase, u kthyem në hotel së bashku me Vatën, me Shulkun e të tjerët, por unë e kisha marrë vendimin tim, nuk kthehesha më në Shqipëri, – ka rrëfyer Suka. – Aty nisi edhe aventura ime francez, për të mbërritur këtu ku jam sot, një njeri i nderuar dhe i respektuar.”
Për Sukën, përzgjedhja për të mbajtur pishtarin olimpik është vlerësim për kontributin e tij në komunitet. “Në fakt, emri im iu propozua Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nga organizatorët e Olimpiadës këtu, duke patur parasysh kontributin tim si një ish- lojtar me skuadrën e Lavalit, por edhe punën time tashmë si drejtor i sportit dhe rinisë në zonën ku banoj, rreth 6 kam larg Parisit, si dhe kontributin tim për kauza humanitare me shoqata të ndryshme”, – ka përfunduar Suka.