AlbanianSport.com 24/01/2019 14:05
ASNN – “Piper Malibu”, avioni privat që po shkakton tragjedi të shumta ajrore, së fundmi “zhduku” futbollistin Sala. Aksidentet ajrore me avionë të vegjël privatë janë të shumtë dhe ekspertët kohët e fundit po i mëshojnë faktit se avionët e markës “Piper Malibu” po shkaktojnë shumë viktima. Rasti i fundit është ai i regjistruar në ngushticën e La Manshit midis Francës dhe Anglisë, ku me një avion të tillë, dy persona rezultojnë të zhdukur dhe me gjasë të kenë përfunduar të vdekur nën ujërat e këtij kanali, midis të cilëve dhe futbollisti argjentinas Emiliano Sala.
Lojtari kishte arritur marrëveshje me Kardifin dhe po transferohej në kampionatin anglez nga Nanta e Francës. Por ky udhëtim i tij rezulton të jetë fatal, të paktën deri tani nuk ka asnjë të dhënë që ai është ende gjallë, megjithëse shpresat nuk janë shuar ende për sa kohë nuk janë gjetur gjurmë nga përplasja e avionit. E ndërsa kërkimet nga policia franceze dhe ajo angleze vijojnë, ka pasur mjaft hipoteza të hedhura nga të afërmit, madje deri atje sa aksidentin e ka sajuar mafia e futbollit, por së fundmi kanë folur dhe ekspertët, duke dhënë një lajm tronditës.
Kështu, eksperti i fluturimeve dhe ish-piloti, Alaster Rosenshien, deklaroi për mediat franceze se futbollisti Emiliano Sala nuk duhej të kishte udhëtuar me një aeroplan të tillë, pasi “Piper Malibu” ka një rekord negativ të tmerrshëm të aksidenteve. Ky lloj aeroplani është rrëzuar 160 herë, nga të cilat në 55 raste ka pasur fatalitet. “Është me të vërtetë e rrezikshme të udhëtosh me një aeroplan të tillë që ka vetëm një motor, – thotë Rosenshien, – veçanërisht natën dhe gjatë dimrit. Kur unë i bëra disa hulumtime, ky lloj avioni është rrëzuar plot 160 herë, 55 prej tyre kishin qenë fatale.”
Shanset që futbollisti Sala dhe piloti të jenë ende gjallë janë fare minimale, megjithëse teorikisht ekziston mundësia që ata të kenë zbritur avionin në det dhe të kenë përdorur varkën e shpëtimit. Lojtari kishte paralajmëruar për aksidentin dy herë. Në rastin e parë kur me të njëjtin avion udhëtoi nga Kardifi në Nantë dhe ku u kishte thënë miqve se kishte bërë një udhëtim krejt të parehatshëm, ndërsa në vajtje nga lartësia ai kishte përçuar një mesazh zanor ku paralajmëronte tragjedinë, pasi avioni kishte dhënë sinjale jo të mira.