Gjergj Vyshka 19.03.2016 14:35
Pingpongu shqiptar ka arritur një marrëveshje katërvjeçare me kompaninë “Stag International”. Gjithçka ka ndodhur gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit Botëror, por njëkohësisht dhe Kampionatit Botëror në Kuala Lumpur të Malejzisë, që u mbajt nga data 28 shkurt, deri më 6 mars 2016. Siç dihet Shqipëria në këto evenimente është përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, ndërsa ka qenë i pranishëm gjatë ndeshjeve të Botërorit edhe gjyqtari ndërkombëtar, Klodian Gjata.
Marrëveshja katërvjeçare parashikon pajisjen me uniforma për ekipin kombëtar të të gjitha moshave. E po kështu dhe bazë materiale duke nisur që nga tavolinat e pajisura me të gjitha gjërat e domosdoshme për këtë lojë. Dhe të gjitha këto do të jenë për ekipin kombëtar. Firmat mbi kontratë janë vënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, si dhe bashkë-kryetari i “Stag International”, Vivel Kohli. E sot, nisur dhe nga kjo marrëveshje e arritur në Kuala Lumpur, Binoshi ka lënë edhe një takim me të gjithë trajnerët.
Aty do të diskutohet për veprimtarie kombëtare dhe ndërkombëtare të vitit 2016. Pingpongu, sipas Binoshit, gjatë vitit 2016 ka 9 veprimtari kombëtare, si dhe 4 ndërkombëtare, në të cilat përfshihen pjesëmarrja në Kampionatet Ballkanike, në Eliminatoret e Evropianit në Luksemburg, si dhe një veprimtari në Kosovë. Sidoqoftë, ajo që është e rëndësishme është arritja e marrëveshjes me kompaninë “Stag International”, e cila do të veshi dhe do të pajisë me bazë materiale ekipet kombëtare të pingpongut shqiptar.