Gjergj Vyshka 24.05.2016 08:45
Pingpongu shqiptar nuk është mjaftuar këtë fundjavë me pjesëmarrjen në turneun “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, por të dielën ka qenë edhe në turneun “Bedri Ajeti” për grupmoshën 12-18 vjeç.
Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Pingpongut në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, por dhe sipas lajmërimit që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm, Tonin Binoshi, për “Sport Ekspres”, vajzat e Teutës kanë rrëmbyer kupat e kategorive të femrave në turneun përkujtimor “Bedri Ajeti”.
Pas përfundimit të turneut sportistet e Teutës, të drejtuar nga Musa Tërniqi, u pozicionuan në vendet e para të çdo kategorie. Kështu Samanda Agolli është fitues për Nën-12-vjeçaret, Alba Xhupi për Nën-15-vjeçaret dhe Liridona Rexhaj për Nën-18-vjeçaret.
Në këtë veprimtari, Shqipëria ka lënë pas ekipe të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. E duke nisur që nga vendi i katërt i paratërejave në ballkaniadën e Tivatit, paraqitjen e mirë të Ilir Shabanajt dhe Daniela Hazizaj në Ferizaj, por dhe 3 vendet e para të vajzave durrsake në Prishtinë tregon që pingpongu po shënon hapa të mëdha, veçanërisht për vajza.