Gjergj Vyshka 30.11.2016 12:30
Shqipëria e pingpongut për femra, e cila ka marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian në Danimarkë, ka arritur të marrë një fitore dhe të pësojë dy humbje. E ky rezultat e ka renditur në vendin e tretë në grup.
Një objektiv ky që kjo kombëtare, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshaj, e kishte ende pa u nisur në këtë veprimtari. Shqipëria ka mundur 3-1 Islandën.
Kështu Alba Xhupi ka mundur 3-1 Sigrun Tomasdotier (9-11, 11-5, 11-5, 12-10) dhe më pas 3-0 Lavusdotier (11-1, 11-8, 15-13). Po kështu Bela Selenica ka mundur 3-0 Bjanadotier (11-6, 11-8, 11-5).
Dhe e vetmja që është mundur ishte Kamela Katillari nga Lavusdotier 1-3. Ndërkohë tonat janë mundur 0-3 nga Danimarka dhe Norvegjia. E megjithatë ky përfaqësim është cilësuar dinjitoz, sepse ndryshe nga meshkujt, femrat e drejtuara nga Ilir Shabani e kanë arritur një fitore në këto eliminatore.