Gjergj Vyshka 28.03.2016 14:35
Pas Teutës për femra, në Kampionatin Kombëtar të grupmoshës deri në 15 vjeç, si ekipor, ashtu edhe individual, që u zhvillua në Shkodër në pingpong, ishte Përmeti, që për herë të parë në historinë e tij, del “kampion” për meshkuj. E për këtë duhet përshëndetur, sipas sekretarit të përgjithshëm Tonin Binoshi, trajneri i kësaj skuadre Et’hem Bejo.
Kështu ka lajmëruar për “Sport Ekspres” Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, ndërsa në këtë veprimtari, të parën për vitin 2016, kanë marrë pjesë 8 ekipe meshkujsh dhe 5 për femra. Kështu Vllaznia, Elbasani, Tomori dhe Teuta janë përfaqësuar me ekipe të dyfishta meshkuj dhe femra. E pas tyre në kampionat kanë qenë të pranishme Lushnja, Përmeti, Këlcyra.
Për meshkuj pas Përmeti në vendin e dytë dhe të tretë janë renditur Teuta e Burreli, kurse për femra pas Teutës kanë ardhur Elbasani e Vllaznia. Ndërkohë në garën individuale për femra është shpallur “kampione” Alba Xhupi e Teutës, ndërsa ka lënë pas Samanta Agollin dhe Orjana Agollin. E për të rinj kampion individual është Flamur Rexhaj i Teutës, që ka lënë pas Drilon Tolën e Burrelit dhe Juljan Vjeshtën e Tomorit.
Ndërkohë sot në mëngjes në ora 09:00, në mjediset e Hotel “Diplomat”, do të jetë dhe mbledhja e kryesisë së Federatës Shqiptare të Pingpongut, e cila do të drejtohet nga presidenti Arben Meçaj.