Gjergj Vyshka 07.11.2016 18:55
Pallati i Sportit “Ramazan Njala” në Durrës këtë fundjavë ka qenë qendra e Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Pingpongut për Meshkuj. Në grupin e Shqipërisë kanë qenë si kundërshtar Skocia, Malta, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.
Në këtë veprimtari, nën një organizim të shkëlqyer të Federatës Shqiptare të Pingpongut, krahas Presidentit Arben Meçe dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Tonin Binoshaj, kanë qenë të pranishëm presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bizhani, dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit e Sportit, Vladimir Gjonaj.
Në përbërje Shqipëria kishte Joni Tufën, Dorian Tapinë, Jani Gabeshin dhe Sadush Tosunin. Shqipëria është mundur 0-3 nga Skocia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe 1-3 nga Malta, atje ku fitoi vetëm Joni Tufa. Tashmë është radha e femrave për këto Eliminatore.