AlbanianSport.com 20.09.2015 17:05
ASNN – Përgjatë dy ditëve të fundjavës, në përputhje me kalendarin sportiv të veprimtarive kombëtare për vitin 2015, në mjediset e Sallës Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet është zhvilluar nisur Kampionatin Kombëtar Individual i Pingpongut, nën kujdesin e Federatës Shqiptare e Pingpongut. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 67 pingpongistë, meshkuj dhe femra.
Ata janë ndarë në katër grupe, që i kanë luajtur ndeshjet të shtunën. Dy të parët e çdo grupi kanë vijuar të formojnë 8-shen e finales, që është zhvilluar me sistem rrethi, por, në këtë fazë, ata që në turin kualifikues kanë qenë në të njëjtin grup nuk janë përballur sërish me njëri-tjetrin. Pra kampioni dhe kampionia janë shpallur në bazë të pikëve të grumbulluara të dielën.
Për femra, gara e titullit “kampion” është diskutuar midis Anila Gjokës, Anila Salkut, Liridona Rexhajt, Alba Xhupit, Alketa Koçiut, Arsena Osmenajt, Adelajde Isakut dhe Sabina Tosunit. Në përfundim, kampione e Shqipërisë në pingpongun e femrave është shpallur, për herë të parë, Liridona Rexhaj e ekipit të Teutës, e cila stërvitet nga mjeshtëri i sportit, Musa Tërniqi.
Kurse për meshkuj kanë qenë në garë Dorian Tapia, Andi Kola, Ilir Shabanaj, Jonuz Tufa, Jon Tufa, Pëllumb Haka, Nikolla Haxhillazi dhe Dritan Laska. Në përfundim, më tepër pikë ka mbledhur Nikolla Haxhillazi i ekipit të Elbasanit, ekipit që drejtohet nga trajnerja e mirënjohur, Greta Kovaci. Haxhillazi është shpallur kështu “kampion” i Shqipërisë në pingpong për meshkuj.