Gjergj Vyshka 13.06.2017 17:05
Pingpongistja e Teutës, Liridona Rexhaj, ka dalë e treta në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 15 dhe deri në 18 vjeç në Albena të Bullgarisë. Rezultati i saj është ndër arritjet më të mëdha të pingpongut shqiptar, aq më tepër që është “kampione” në fuqi e pingpongu deri tek 21-vjeçaret.
Jo vetëm kaq, por ajo ka pasur një paraqitje shumë të mirë në Kampionatin Botëror të Dyseldorfit, apo dhe në veprimtaritë e tjera ndërkombëtare. Ndër 32 pingpongiste, renditja e Rexhajt në vendin e tretë i ka bërë të gjithë ndërkombëtarët që ta shohin pingpongun shqiptar me një tjetër sy.
Aq më shumë që, vitin e kaluar për moshën deri në 15 vjeç, Shqipëria ishte e treta. Një arritje për Liridona Rexhajn dhe një arritje dhe për trajnerin Musa Tërniqi. Ndërkohë si ekip, vajzat kuqezi janë renditur në vendin e 5-të dhe kësisoj Kampionati Ballkanik i Nën-15 dhe Nën-18-vjeçarëve ka qenë i suksesshëm për pingpongun shqiptar.