AlbanianSport.com 21.05.2016 21:15
ASNN – “BITT-i nuk është një veprimtari private, por institucional dhe i mbështetur nga institucione shtetërore dhe federata të ndryshme”. Ky është konstatimi i organizatores Elda Gjoka. “Nuk është sipërmarrje familjare”, – shton Gjoka, e cila po merret aktualisht me përgatitjet e fundit të aktivitetit BITT 2016, “Tribut për Matin”. Pa nisur ende ky turne mbarëkombëtar, Gjoka ka deklaruar “dhuratën” e parë. Kjo i është adresuar klubit të pingpongut ku vajza matjane është rritur, ka luajtur dhe është shpallur “kampione” kombëtare për disa vite.
“Ju njoftoj se sportistët e pingpongut të Burrelit ftohen nga ana ime të marrin pjesë në BITT 2016, – u drejtohet Elda Gjoka drejtuesve të pingpongut në Mat. – Duhet të dërgoni formularin e secilit prej tyre. Asnjë person që nuk ka kryer regjistrimin nuk mund të konfirmohet si pjesëmarrës në këtë veprimtari. Deri tani janë regjistruar Dalip Gjoka dhe Petrit Sala. Kam vendosur që për sportistët e Matit të heq tarifën e garës. Pra nuk do të ketë detyrim pagese për asnjë sportist të Burrelit”. Organizatorja e BITT-it nuk harron të respektojë dhe vlerësoje klubin e saj të lindjes.
“Kam marrë parasysh problem social-ekonomike të sportistëve matjanë, si dhe situatën financiare të krahinës”, – shton Gjoka. Ajo nënvizon se nuk mund të harrojë ndihmën dhe kontributin e pingpongistëve Petrit Sala, Dalip Gjoka e Enver Pasha.