AlbanianSport.com 14.05.2016 15:25
ASNN – Sivjet organizohet për të katërtin vit radhazi Turneu i Hapur Ndërkombëtar në pingpong “BITT 2016 – Tribut për Matin”. Elda Gjoka, themeluese dhe organizatore e këtij turneu ndërkombëtar, edicionin e parë në vitin 2013 e ka quajtur “Tribut Pasionit”. Më pas vijoi me “Tributin për Miqtë” ne vitin 2014 dhe “Tribut për Mësuesit” në vitin 2015, duke ardhur në rrugëtimin e vitit 2016 me “Tributin për Matin”.
Ka qenë një rrugëtim bashkërisht me partnerët organizativë ky katërvjeçar duke bërë të mundur zhvillimin e kësaj veprimtarie në standardet më të larta dhe cilësore në fushën e sportit në Shqipëri. Bashkia Mat, mikpritësja që në gjenezë e zhvillimit të këtij turneu, edhe sivjet ka hapur dyert e qytetit dhe Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” për të mirëpritur sportistët dhe miqtë përgjatë tre ditëve të turneut.
Federata Shqiptare e Pingpongut, duke e listuar turneun BITT në kalendarin e saj zyrtar, tanimë është partnere organizative për të katërtin vit në Burrel. Po kështu është edhe Federata Shqiptare e çiklizmit, e cila ngre siparin e BITT në pingpong me garën çiklistike Tiranë-Burrel 89 km çdo vit. Kolegjiumi i Gjyqtarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë partneri kryesor.