AlbanianSport.com 24.10.2015 19:50
ASNN – Ka mbetur vetëm një javë nga çelja zyrtare e Kampionatit Ballkanik të Pingpongut për Veteranë. Pas tri ditësh organizatorët do të mbyllin regjistrimin për ekipet ballkanase. “Ky vendim është marrë dje nga Unioni Ballkanik, Federata Shqiptare e Pingpongut dhe organizatorët, – bëri me dije Esmeralda Hoxha, menaxhere e projektit. – Deri tani mund t’ju konfirmojmë Rumaninë, si dhe një lojtare nga Greqia, por me origjinë shqiptare, e cila vjen për të marrë pjesë në Ballkanik. Që prej fillimit të javës makineria organizatore është vënë në punë me shpejtësi të plotë për detajet e fundit.”
Mësohet se bashkëpunimi me partnerët lokal ka qenë dhe është i shkëlqyer si me Bashkinë Mat, Drejtorinë e Sporteve, Qendrën Kulturore, Drejtorinë Arsimore, ashtu dhe me Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Grupi i punës, i udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë, Rizvani, është duke kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme në mënyrë që në datë 30 Tetor gjithçka të jetë gati. “Pallati i Sportit “Ferit Hysa”, pas inspektimit të kryer ditën e martë, është gati për të pritur sportistët ballkanas”, – vijoi më tej përfaqësuesja e organizatorëve të këtij turneu.
“Thirrjes për vullnetarë për ditët e eventit i janë përgjigjur pozitivisht gjimnazistët e Grupit “Zëri 16 +”, të cilët do të jenë ndihmesë në shoqërimin dhe përkthimin për ekipet pjesëmarrëse, – ka theksuar Hoxha. – Një rëndësi e veçantë po i kushtohet edhe përçimit të vlerave të Matit dhe atyre shqiptare në tërësi duke angazhuar institucionet përkatëse për promovimin e elementëve folklorikë.” Gjithashtu, gjatë ditëve të Ballkanikut, paralelisht në Pallatin e Sportit do të jetë e hapur ekspozita vetjake e piktorit Myftar Cubi.
Ai risjell në vendlindje veprat e tij mozaikë, që kanë kapërcyer kufinjtë e Shqipërisë. Do të ketë po ashtu art dhe sport elitar në të njëjtin vend në të njëjtat ditë. Hoxha tha se është njoftuar Policia e Shtetit në Burrel dhe Gëzim Murrani, shefi i policisë në qytetin matjan, ka dhënë mbështetjen e tij dhe të forcave të rendit për ditët e turneut, duke u koordinuar me Bashkinë dhe organizatorët. Spitali Rajonal ka marrë një njoftim zyrtar në mënyrë që të jenë në gatishmëri me ambulancë siç ndodh në çdo event sportiv, qoftë kombëtar, apo ndërkombëtar.
“Organizatorët, Federata Shqiptare e Pingpongut dhe Unioni Ballkanik i Pingpongut po punojnë në mënyrë intensive që data 30 tetor 2015 të ngrejë siparin e Ballkanikut në mënyrën më profesionale të mundshme”, – përfundoi menaxherja e këtij projekti, Esmeralda Hoxha.