AlbanianSport.com 24.05.2016 13:45
ASNN – Prenga: “Pjesëmarrja jonë synon rritje në numër duke qenë se kemi konfirmimin deri më tani, që do të ketë pjesëmarrje të sportistëve profesionistë me aftësi të kufizuar nga shtetet fqinje”. Koordinatorja e projekteve të shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, Violeta Prenga, sqaron kontributin që këto persona do të japin në fundjavë për mbarëvajtjen e Turneut Ndërkombëtar të Pingpongut BITT 2016 “Tribut për Matin”.
Prenga saktëson se, për të katërtin vit, “Active Disabled People”, së bashku me partnerë dhe anëtarë me aftësi të kufizuar, janë pjesë e BITT-it, që sivjet vjen si “Tribut për Matin”. Sipas saj, ADP Albania është një shoqatë sportive për personat me aftësi të kufizuara e krijuar në vitin 2012. “Drejtuesi ligjor i ADP Albania është Bledar Suxha, – ka sqaruar Prenga. – Ai është shumë optimist dhe e ka pritur me shumë entuziazëm partneritetin për BITT-in e këtij viti.”
“Suxha i bashkohet me pasion këtij sporti të bukur, – ka vijuar ajo. – Ai është një sportist virtuoz me aftësi të kufizuara, i trajnuar mirë në lojën e pingpongut në karrige më rrota. Falë përkushtimit të trajnerëve Dalip e Elda Gjoka, ai tani është një talent dhe i bashkohet nismës e dëshirës së organizatoreve për promovimin e vendlindjes së tij, Matit.” Mësohet se Bledar Suxha ka rënë dakord me të gjithë lojtarët e talentuar të pingpongut me rrota, apo siç quhet ndryshe para-pingpong që të jenë pjesëmarrës në BITT 2016.
Prenga shprehet se, që nga viti 2013 dhe deri sivjet, ADP Albania është partnere e “Genuine Effect”, Bashkisë Mat, Federatës Shqiptare të Pingpongut, për të qenë e pranishme në tre ditët e ndeshjeve të ndara në kategori. Duke kujtuar kontributin e kësaj shoqate koordinatorja thotë se: “BITT 2013 “Tribut Pasionit” shënoi hapjen për herë të parë të përfshirjes së ADP në turne të tillë ndërkombëtarë me pjesëmarrjen e 8 sportistëve me aftësi të kufizuar nga Shqipëria dhe Kosova.”
“BITT 2014 “Tribut Miqësisë” na rimblodhi përsëri në Burrel me pjesëmarrjen e 12 sportistëve me aftësi të kufizuara. BITT 2015 “Tribut Mësuesve” mirëpriti në Burrel 10 sportistë me aftësi të kufizuar nga Shqipëria dhe Kosova, – thekson Prenga. – Sivjet pjesëmarrje jonë synon rritje në numër duke qenë se kemi konfirmimin deri më tani, që do të ketë pjesëmarrje të sportistëve profesionistë me aftësi të kufizuar nga Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania dhe Kosova.”