AlbanianSport.com 24.05.2016 18:45
ASNN – Një tjetër risi e BITT-it 2016 do të jetë se disa prej lojtarëve me aftësi të kufizuara do të gjykojnë përgjatë ndeshjeve të grupeve. Gjyqtarët që do të përfshihen në gjykim do të trajnohen paraprakisht nga gjyqtarë ndërkombëtarë duke i hapur një tjetër dritë jeshile integrimit të personave me aftësi të kufizuar.
Kjo gjë është mirëpritur nga ADP dhe anëtarët e saj janë të sigurt se kjo do të jetë një pikënisje edhe për sportet e tjera, që operojnë në Shqipëri. Prenga shton se Bledar Suxha ka qenë një lojtar cilësor dhe ka kontribuar tre vitet e fundit për realizimin me sukses të BITT-it.
Duke iu referuar veprimtarisë së radhës, vetë ai deklaron se BITT-i është një mundësi për të gjithë matjanët për të treguar bujarinë e tyre, kulturën tradicionale, vlerat e trevës së njohur të Matit. “Ne jemi bashkëpunues dhe dashamirës të sportit dhe jo paragjykues”, – ka thënë Suxha.
“Në qytetin e Burrelit ndër vite janë pritur e respektuar qindra sportistë nga vende të ndryshme të Evropës, – ka vijuar ai. – Ajo që duhet veçuar është fakti se janë krijuar kushte normale për personat me aftësi të kufizuara, përdorues të karrigeve me rrota. Pjesëmarrja jo vetëm si lojtarë, por edhe si gjyqtarë në këtë veprimtari sportive sjell një rritje të vetëbesimit tek lojtarët dhe tek personat me aftësi të kufizuara në të gjithë Shqipërinë.”