AlbanianSport.com 02/08/2018 09:45
ASNN – Përtej shpresave që jepte një barazim i bardhë në ndeshjen e parë në shtëpi, Kukësi është mundur 0-3 të mërkurën, në ndeshjen e kthimit në Azerbajxhan përballë Karabagut vendas. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit dhe spikati për fakti se kundër skuadrës shqiptare janë dhënë tri 11-metërsha.
Kukësi e ka mbyllur në turin e dytë eliminator aventurën në Ligën e Kampioneve këtë sezon, pasi është mundur 0-3 në ndeshjen e kthimit në Azerbajxhan përballë Karabagut vendas. Në fakt, pjesa e parë e kësaj sfide të zhvilluar në Stadiumin “Tofik Bahramov” të kryeqyteti azer, Baku, ka folur e gjitha për skuadrën vendase, që është hedhur në sulm që nga minuta e parë, duke e dendësuar ritmin e goditjeve drejt portës kukësiane.
Mishel do të rrezikojë pas 9 minutash lojë, me një goditje nga larg që përfundon jashtë kuadratit. Azerët këmbënguli dhe në minutën e 19-të fitojnë një goditje të lirë, për të cilën kapiteni shqiptar, Shameti, do të ndëshkohet me karton të verdhë. Nga goditja e lirë, Mishel do të devijojë me kokë dhe topi rrok shtyllën e majtë pingule të portës së Frashërit dhe Shameti largon rrezikun.
Por portieri i verilindorëve është fajtor në minutën e 23-të, kur pengon pa qenë nevoja sulmuesin Emegara të Karabagut dhe gjyqtari bën me dorë nga pika e bardhë. Kuintana e ekzekuton 11-metërshin dhe shënon. Gjysma e mbetur e pjesës së parë do të shohë azerët të kënaqur në administrimin e lojës dhe Kukësin të pazotin për ta rrezikuar portën kundërshtare.
Kjo e ka bërë trajnerin Armando Cungu të mos e fshehë pakënaqësinë me skuadrën e tij. Pjesa e dytë do të nisë sërish më e mirë për vendasit, ndërsa Kukësi do të mbetet me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Allës në minutën e 52-të. Por portieri Frashëri korrigjon veten dhe e grushton topin e goditur nga pika e bardhë dhe mban Kukësin ende në lojë.
Por epërsia numerike bën të vetën dhe ërfitojnë vendasit, që, në minutën e 57-të, do të fitojnë një tjetër 11-metërsh. Sërish është Kuintana që godet nga pika e bardhë dhe nuk gabon. 2-0 për Karabagun dhe gjysmëora e mbetur e lojës dhe minutat shtesë do të shohin vendasit të aftë për të administruar epërsinë e kënaqshme dhe Kukësin të paqartë për të reaguar.
Azerët do të rrezikojnë në disa raste të gjejnë edhe golin e 3-të, por në të paktën 3 raste, sa për mangësi në finalizim dhe sa për meritë të portierit të Kukësit, Stivi Frashëri, nuk do të arrijë ta gjejë atë, deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur Delarge do të shënojë, duke bërë që gjithçka të mbyllet me fitoren 3-0 të Karabagut. Kukësi tanimë do ta vijojë aventurën e tij kontinentale në turin e 3-të të Ligës së Evropës, ku e pret fituesja e çiftit Torpedo Kutaisi-Vikingur