AlbanianSport.com 11/03/2018 13:05
ASNN – Teksa ka mbetur më pak se një muaj nga zhvillimi i Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, janë zyrtarizuar edhe dy kandidatë për postin e presidentit të saj. biznesmeni dhe mbështetësi afatgjatë i talenteve të reja të shtangës, Pas biznesmenit Theodhor Masllavica, i cili e pati deklaruar kandidaturën e tij që pas dorëheqjes së Elez Gjozës, tanimë ka ardhur edhe kandidatura e dytë, ajo e Ilir Topuzit.
Ka nisur të marrë trajtë beteja për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, pasi tanimë janë zyrtarizuar dy kandidatë. Ndërkohë që biznesmeni dhe mbështetësi afatgjatë i talenteve të reja të shtangës, Theodhor Masllavica, e pati deklaruar kandidaturën e tij për postin e organizmit që qeveris shtangën në vend që pas dorëheqjes së Elez Gjozës, tanimë ka ardhur edhe kandidatura e dytë. Ilir Topuzi ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Topuzi ka qenë peshëngritës i Elbasanit në periudhën 1982-1992, si dhe një vit në Itali. Topuzi është aktualisht zv/President i Federatës dhe kandidatura e tij shihet gjerësisht në komunitetit e shtangës si një vazhdimësi e grupit që e drejtoi këtë Federatë i kryesuar nga ish-presidenti Elez Gjoza. Në fakt, me dorëheqjen e tij, Gjoza i mohoi praktikisht Shqipërisë të drejtën e organizimit të Evropianit të këtij viti, që duhej të mbahej në Tiranë në fund të marsit.
Pas dorëheqjes së tij dhe pas rezultimit pozitiv të Romela Begajt për doping, si dhe pas largimit të Evropianit nga kryeqyteti shqiptar dhe emërimit të Gudar Beqirajt si një president i përkohëshëm, por me një legjitimitet të paqartë, komuniteti i shtangës është përfshirë nga një vorbull polemikash, që kulmoi në kërkesën e 1/3-ës së anëtarëve me të drejtë vote, për të thirrur një Asamble të Jashtëzakonshme. Kjo kërkesë kishte dy pika, zgjedhjen e presidentit të ri të Federatës, si dhe shkarkimin e Komitetit aktual Drejtues dhe zgjedhjen e një komiteti të ri drejtues.
Por Komiteti aktual drejtues, ku bën pjesë edhe Topuzi, miratoi vetëm pikën e parë, domethënë, mbajtjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme më 5 prill 2018, ndërsa e hodhi poshtë pikën e dytë. Por edhe ky vendim i Komitetit Drejtues ka sjellë edhe më tepër pështjellim, pasi është një shkelje e statutit të Federatës, ndërsa edhe përbërja aktuale e vetë këtij Komitetit është në shkelje të statutit. Mbetet për t’u parë sesi do të rrjedhin ngjarjet deri në Asamblenë e Jashtëzakonshme të shtangës kuqezi.