Gjergj Vyshka 12.12.2014 13:45
Pas deklaratës së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka reaguar dhe anëtari i Komitetit Drejtues, Ilir Kulla, sipas të cilit koha do të vërtetojë drejtësinë për peshëngritësit shqiptarë, të cilët kanë ngritur me dhjetëra herë flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ja dhe deklarata e tij e shpërndarë nëpërmjet “Facebook”-ut.
“Të nderuar miq. Fatkeqësisht kemi asistuar në një agresion verbal të pa hasur më parë nga disa media me qëllim manipulimin e opinionit publik kundër ekipit kombëtar të peshëngritjes dhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ndaj dua të ndaj me Ju disa mendime lidhur me këtë çështje. Së pari, Federata Shqiptare e Peshëngritjes as nuk është fshehur dhe as nuk ka ndërmend ta bëjë ndonjëherë diçka të tillë. Por, për hir të seriozitetit të çështjes, ka marrë një profil të ulët nëpërmjet një deklarata të Këshillit Drejtues, e cila sanksionon tre parime; transparencën me publikun, detyrimin për të shprehur dhe mbrojtur sportistët deri në daljen përfundimtare të analizës B, e cila është edhe detyrim ligjor, edhe detyrim moral, në mbështetje të sportistëve të ekipit tone kombëtar dhe parimin e tretë, atë të analizës së punës brenda vetes me njohjen e përgjegjësive dhe gabimeve të bëra edhe nga vetë Federata. Në kundërshtim me ata që na akuzojnë se jemi fshehur ditët e ardhshme, publiku do të njihet jo vetëm me hapa të rëndësishëm të FSHP-së, ndër to edhe takim i nivelit të lartë me drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. E vërteta do të dalë në shesh, ajo kërkon pak kohë, por ne nuk do t’i braktisim sportistet dhe kampionët tanë, të cilët e kane ngritur flamurin kombëtar me dhjetëra herë duke na krenuar. Atyre që na kërkojnë dorëheqje, i bëjmë me dije se dorëheqja është hap i të fortëve dhe njerëzve me karakter të fortë. Por këto çështje do të diskutohen pasi të zbardhen deri ne fund detajet e analizave B, përgjegjësitë e gjithsecilit, përfshi edhe ndonjë dorë nga jashtë që me qejf dhe dëshirë të madhe nuk kursen të prishë as jetën dhe karrierën e 3 të rinjve shqiptarë, të cilët kanë ngritur gjithçka me djersë dhe sakrifica. Sot respekti shkon për sakrificën e sportistëve të të gjithë peshëngritësve shqiptarë dhe familjeve të tyre, përfshi ekipin kombëtar dhe kampionët dhe rekordmenët. Shkon dhe për ato familje që na kanë besuar fëmijët e tyre, motrat, vëllezërit, nënat dhe baballarët, që janë pjesë e familjes së madhe të peshëngritjes. Falënderojmë ata që na kanë besuar dhe mbështetur dhe nuk harrojmë as ata Ponice Pilat që kërkuan të ishin pjesë e fitores së të tjerëve dhe dje e sot lanë duart duke hedhur sasi pa fund llumi kundër ekipit kombëtar dhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Koha do të jetë edhe aleati më i drejtë dhe më i mirë në këtë betejë të vështirë për drejtësi”.