AlbanianSport.com 03.12.2014 21:20
ASNN – Serisë së rezultateve historike në sportin shqiptar peshëngritja i shtoi ditët e fundit nga Europiani i Nën-23-vjeçarëve edhe tri medalje të tjera, dy të argjendta dhe 1 të artë. Por, e lënë jashtë listës së kategorive për shpërblim si grupmoshë për medalistët e dyfarëshit, ndryshe nga sa veprohet me të rriturit dhe të rinjtë (25 për qind të masës së të rriturve), zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Rauf Dimraj në një prononcim për për përditshmen më të madhe sportive në Shqipëri, “Panorama Sport” tha hapur se kjo elitë e sportit duhet stimuluar.
Megjithatë, sipas tij, në rishikimin e vendimit të Këshillit të Ministrave një gjë e tillë nuk mund të ndryshojë në moment, por hap pas hapi. “Për ndryshimin e vendimit patjetër që duhet një mendim kolegjial dhe, për të arritur deri në fund të këtij procesi, duhet bërë paraprakisht një analizë, – ka sqaruar ai për të përditshmen në fjalë. – Megjithatë, do të ulemi dhe kjo çështje do të diskutohet gradualisht.” I freskët për opinionin sportdashës është edhe precedenti i Romela Begajt që, ndonëse kampione e botës, VKM-ja nuk e merr në konsideratë një rezultat të tillë në një stil.
Por u desh premtimi publik i ministres Nikolla për t’i dhënë fund këtij ngërçi disavjeçar. I pyetur nga “Panorama Sport” për rastin në fjalë, zëvendësministri Dimraj sqaroi: “E quaj çështje të mbyllur. E deklaroi vetë ministrja Lindita Nikolla në konferencën për shtyp, të mbajtur në ceremoninë e pritjes së medalistëve nga Botërori. Pra, është diçka e konfirmuar dhe nuk mund të bëj koment për këtë çështje. Duhet ta pranojmë që rezultati i saj në një stil është i shkëlqyer. Dhe personalisht një arritje e tij më ka emocionuar mjaft, pasi është rezultat i sakrificave dhe djersës.”