Gjergj Vyshka 30.11.2014 13:15
Dje në mesditë, në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ka mbërritur nënkampioni i Evropës për Nën-23-vjeçarët në peshëngritje, Hysen Pulaku. Në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Nën-23-vjeçarët dhe Të Rinjtë, që u mbajt në Limasol të Qipros, elbasanasi mori një medalje ari në stilin e shtytjes, si dhe dy medalje të argjendta në stilin e shkëputjes dhe dygarësh.
Për rrjedhojë në Rinas ai është pritur jo vetëm nga drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, presidenti Elez Gjoza dhe sekretari Muharrem Berisha, por nga Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, si dhe Drejtori i Sporteve në këtë dikaster Vladimir Gjonaj. Jo vetëm që e kanë uruar për medaljet Pulakun, por dhe kanë premtuar mbështetje më të madhe për peshëngritjen, e cila po ngjit majat e suksesit.