Gjergj Vyshka 11.10.2016 13:50
Shtangistët kanë rezultuar negativ dhe janë në pritje të shpërblimit financiar nga shteti për rezultatet e tyre në Rio. Evropa zyrtarizon datat e zhvillimit të Evropianit të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve “Tiranë 2017”
Më 7 tetor 2016 nga Budapesti në drejtim të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes kanë ardhur përgjigjet e analizave antidoping për Briken Caljen dhe Evangjeli Velin, dy shtangistët që përfaqësuan vendin në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Calja është renditur në vendin e 5-të në peshën 69 kg, kurse Veli në të tetin në peshën 53 kg, duke qenë njëkohësisht dy sportistët më të mirë të Shqipërisë në Olimpiadën e Rios.
Për rrjedhojë analizat anti-doping, që kanë rezultuar negative, kanë konfirmuar paraqitjen e tyre të mirë në Rio. Dhe me ligjin e sportit Caljes i takojnë 2.000.000 lekë, që qeveria tashmë duhet t’ia japë, kurse Velit 500.000 lekë.
Dhe dokumenti i analizave antidoping negative të këtyre dy peshëngritësve ka shkuar dje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Sakaq Federata Evropiane e Peshëngritjes ka zyrtarizuar datat e zhvillimit të Kampionatit Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve të vitit të ardhshëm në Tiranë, që do të mbahet nga data 22 nëntor, deri më 2 dhjetor 2016.