AlbanianSport.com 22.02.2017 15:25
ASNN – Trajneri i peshëngritjes shtërmenase: “Kundërshtari ynë i vetëm është Tirana, do të kërkojmë ta mundim në këtë garë këtë ekip”. Shtërmeni i peshëngritjes është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Kupën e Shqipërisë për të rritur, e cila të premten do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Madje, ashtu sikurse ka lajmëruar dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, përpara Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet dhe analiza vjetore e vitit 2016.
Ndërkohë nga trajneri i Shtërmenit në peshëngritje, Leonard Toska, është mësuar se ekipi që ai drejton është me pretendime të mëdha, ndërsa kërkon ta bëjë të veten Kupën e Shqipërisë. “Jemi gati për t’u përballur denjësisht me çdo ekip dhe nuk i trembemi asnjë kundërshtari në këtë garë, – ka thënë ai. – Kjo e fundit është mjaft e fortë, pasi rivaliteti është tepër i madh. Por ne i kemi marrë të gjitha masat dhe do t’ia dalim mbanë si gjithmonë.”
“Kundërshtari më i fortë për ne mbetet Tirana, ndërsa ne do kërkojmë ta mposhtim këtë klub, – ka vijuar Toska. – Gjendja e sportistëve të mi është mjaft e mirë dhe kjo gjë më kënaq shumë. Ekipin e kam të plotë, pa asnjë mungesë, ku do të garojë fortë në çdo peshë. Pra Shtërmeni do të shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë dhe për këtë gjë jam shumë i sigurt. Nuk më ka munguar mbështetja e fuqishme e Kryetarit të Bashkisë Cërrik, Altin Toska.”
“I bëj thirrje të gjithë sportdashësve të Shtërmenit të vijnë të premten dhe të na mbështesin fuqishëm në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit”, – ka përfunduar trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska, kurse Kupa e Shqipërisë në peshëngritje për të rritur do të jetë dhe një testim i kandidatëve për ekipin kombëtar të të rriturve, që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian, që nga data 2, deri më 8 prill 2017 do të mbahet në Split të Kroacisë.
Tashmë emrat dhe peshat janë deklaruar, ndërsa gjendja e atyre, teksa parashikohet dhe një grumbullim 50 ditor përpara Evropianit, do të verifikohet pikërisht në Kupën e Shqipërisë për të rritur.