Gjergj Vyshka 12.12.2014 15:25
“Të dashur miq, specialistë e trajnerë të peshëngritjes shqiptare, sportistë e prindër të tyre, pikërisht sot që është dita më e zezë për sportin tonë, pas rezultateve tanimë tronditësve për doping, dua të ju kërkoj me sinqeritet që për asnjë moment të mos mendoni për tërheqje nga ky sport i bukur dhe burrëror”, – ka thënë specialisti i peshëngritjes shqiptare, ish-trajneri i kombëtare, Petrit Hoxha.
“Megjithë penalitetet, që ne tani në grup mund te marrim, të gjithë se bashku duhet të gjejmë kuraja dhe forcën e duhur që në një të ardhme jo shumë të largët të rikthejmë sportin tonë, aty ku ne e lamë, – ka vijuar ai. – Duhet që përfundimisht ky sport i bukur dhe i vështirë të drejtohet nga trajnerë e specialistë të ditur dhe me shumë kulturë sportive.”
“Mbase kjo që ka ndodhur, më në fund, duhet të shërbejë për një organizim dhe funksionim tërësisht ndryshe tek ky sport”, – ka përfunduar ish-trajneri i kombëtares shqiptare të shtangës, Petrit Hoxha. Duket se të gjithë kërkojnë të mbajnë qetësinë dhe të vazhdojë përpara në sportin e vet.