AlbanianSport.com 16.10.2015 09:10
ASNN – Sot në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të zhvillohet kampionati kombëtar i të rriturve në peshëngritje, atje ku do të marrin pjesë shumë ekipe të vendit tonë. Mes të cilëve edhe Shtërmeni me trajner Leonard Toska. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën sportive shqiptare, “Sport Ekspres” përpara garës, është shprehur se “jemi gati dhe do të konkurrojmë në këtë kampionat me ekip të plotë”. “Jemi me shtatë sportistë, gjashtë meshkuj dhe një femër.”
“Jemi stërvitur shumë duke marrë të gjithë ngarkesën e duhur për ta përballuar më së miri këtë veprimtari të rëndësishme, pasi ne e vlerësojmë shumë dhe do të japim maksimumin tonë, – ka vijuar ai. – Shtërmeni do të synojë vendin e parë sot në Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes për Të Rritur dhe për këtë gjë jam shumë i sigurt. Kam në përbërje sportistë tepër cilësorë. Ky kampionat do të jetë dhe një test për Kampionatit Botëror për Të Rritur, që do të zhvillohet në muajin tjetër në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
“Gara do të jetë shumë e fortë, pasi konkurrenca ështe tepër e madhe, por kjo nuk na tremb aspak neve, sepse jemi në formë të mirë, – ka theksuar trajneri shtërmenas. – Do të kthehemi me titullin “kampion” në fshatin Shtërmen dhe, për këtë gjë, i siguroj të gjithë mbështetësit tanë. Ata do të jenë përkrah nesh dhe unë i falënderoj pa masë. Gjithashtu nuk do të mungojë dhe bashkiaku Altin Toska, i cili është dhe sponsori jonë dhe përkrahja e tij është kryesore.”
“Kështu që ne do t’ia shpërblejmë këtë gjë duke e ngritur sa më lart vendin e tij të lindjes, Shtërmenin, – ka vijuar Toska. – Briken Calja dhe Shqiponja Brahja do të prijnë ekipin tonë drejt vendit të parë në këtë garë dhe këta dy sportistë do të jenë patjetër pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Amerikës”. Në përfundim të fjalëve të tij, trajneri i Shtërrmenit, Leonard Toska, është shprehur se është parashikuar dhe një festë e madhe në Shtërmen gjithnjë nëse arrihet objektivi kryesor, që është shpallja kampion i Shqipërisë për të rritur.
“Sepse jemi një fshat i vogël, por me emër të madh në peshëngritjen shqiptare”, – e ka mbyllur Toska.