AlbanianSport.com 14.03.2017 13:25
ASNN – Trajneri shtërmenas: “Jam i kënaqur me paraqitjen e 3 peshëngritësve të mi, të cilët janë talente me të cilët do të tronditim Evropën dhe botën shumë shpejt”. Tre sportistë të Shtërmenit, javën që kaloi, kanë qenë pjesëmarrës në Kupën “Adem Jashari” në peshëngritje, e cila u zhvillua në Prishtinë. Shtërmeni u përfaqësua me Antonio Lulin, në kategorinë e peshës trupore deri në 56 kg, Roalb Kuqen, në kategorinë e peshës trupore deri në 56 kg dhe Alent Elezin, në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg.
Të 3 këta sportistë kanë arritur rezultate pozitive dhe shumë të kënaqshme, ndërsa e kanë përfaqësuar denjësisht Shtërmenin. Trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska, për “Sport Ekspres” është shprehur shumë i kënaqur për rezultatet e peshëngritësve të tij. “Jam vërtetë krenar për këta djem të mrekullueshëm, të cilët bënë një garë cilësore dhe të bukur, – ka deklaruar ai. – I përshëndes të tre djemtë, të cilët janë e ardhmja e peshëngritjes shqiptare. Falënderoj shumë dhe njeriun që e do sportin e peshëngritjes, biznesmenin Theodhor Masllavica.”
“Ai sponsorizoi ekipet në pjesëmarrjen në këtë veprimtari, – vijoi trajneri shtërmenas. – Sa u përket sportistëve të mi, të 3 do të pretendojnë që të kualifikohen për në Lojërat Olimpike të ardhshme, sepse janë me të vërtetë peshëngritës të talentuar. Unë kam nxjerrë dhe vazhdoj të nxjerr sportistë, që do të tronditin Evropën dhe botën në garat e ardhshme. Kemi marrë medalje dhe kemi dhuruar spektakël në Prishtinë duke kënaqur pa masë të gjithë publikun e pranishëm. Përpara na presin shunë sfida dhe gara të forta, kështu që do të vazhdojmë të përgatitemi intensivisht.”
“Brenda javës do të ftojmë mysafirët e Prishtinës, ku do zhvillojmë një kupë simbolike në Shtërmen në nder të një ish-sportisti. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë shumë ekipe dhe do të sponsorizohet përsëri nga Theodhor Masllavica”, – përfundon trajneri i Shtërmenit, Toska, i cili ka falënderuar dhe presidentin e klubit të futbollit të Turbinës, Gentian Gjoka, që gjithashtu ka financuar Shtërmenin në trajtimin ushqimor të disa shtangistëve.