Gjergj Vyshka 20.12.2016 13:35
Tirana është kampione e dyfishtë e Shqipërisë në peshëngritje, si për meshkuj, ashtu dhe për femra. E ky Kampionat Kombëtar për Të Rritur, që është zhvilluar në kushtet e acarta të sallës së Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ka pasur risinë e rikthimit të Romela Begajt dhe Daniel Godellit, të cilët kanë qenë dy vjet të pezulluar për shkak të dënimit nga Federata Botërore e Peshëngritjes pas daljes pozitiv në analizat antidoping të pas kampionatit Botëror në Kazakistan 2014.
Begaj është kthyer e fortë duke qenë kampione në peshën 63 kg, teksa ka ngritur 85 kg në shkëputje dhe 105 kg në shtytje. Por në të njëjtën kohë ka qenë edhe sportistja më e mirë femër e Kampionatit Kombëtar, duke premtuar kështu se do të vijojë të jetë e fortë dhe në garat në vazhdim. Aq më tepër që Shqipëria do të përgatitet për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Split të Kroacisë në prill, si dhe në Kampionatin Botëror, që bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë është konfirmuar forma e mirë e Briken Caljes, që pas vendit të 5-të në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” vijon të jetë në një nivel të pëlqyeshëm. Por peshëngritja shqiptare do të ketë dhe Daniel Godellin, që ka munguar në këtë kampionat të rriturish për shkak të dëmtimit. Për femra nuk janë zhvilluar peshat e rënda 75 dhe +75 kg. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë 10 ekipe për meshkuj dhe 3 për femra.
Për meshkuj, ekipet pjesëmarrëse ishin Tirana, Teuta, Skënderbeu, Shtërmeni, Apolonia, Vllaznia, “Masglass”, Tomori dhe Flamurtari. Ka marrë pjesë dhe një skuadër me emrin “Weightlifting”. Kurse për femra kanë konkurruar Tirana, Partizani dhe Skënderbeu.
Kampionati Kombëtar i
Peshëngritjes për Të Rritur
Rezultatet teknike:
Të rritura:
Pesha 48 kg Ana Jovani (Skënderbeu)
Pesha 53 kg Liljana Hasani (Tirana)
Pesha 56 kg Shqiponja Brahja (Partizani)
Pesha 63 kg Romela Begaj (Tirana)
Si ekip: Tirana
Sportistja më e mirë: Romela Begaj (Tirana)
Të rritur:
Pesha 56 kg Elsian Ismailaj (Tirana)
Pesha 62 kg Arbër Çerçizi (Apolonia)
Pesha 69 kg Briken Calja (Shtërmeni)
Pesha 77 kg Dorian Tuda (Teuta)
Pesha 85 kg Krenar Shoraj (Apolonia)
Pesha 94 kg Ermand Tabaku (Tirana)
Pesha 105 kg Endri Karina (Tirana)
Pesha +105 kg Edison Elmazaj (Flamurtari)
Si ekip: Tirana 593
Sportisti më i mirë: Briken Calja (Shtërmeni)