AlbanianSport.com 13.11.2016 08:00
ASNN – Elez Gjoza do të jetë përsëri presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ndërsa ky ka qenë përfundimi i Asamblesë Zgjedhore, e cila dje është zhvilluar në mjediset e hotel “Bolonjës” në Vlorë. Veç 22 anëtarëve të pranishëm ishin dhe katër kandidatët për president, ndërsa gara është zhvilluar mes Elez Gjozës, Ilir Topuzit, Theodhori Masllavicës dhe Muharrem Berisha.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, ka drejtuar Asamblenë dhe sqaroi kriteret bazë për zgjedhjen e presidentit, kryesisë dhe të kryekzekutivit të përgjithshëm. Ndërkohë në këtë Asamble Zgjedhore të Peshëngritjes merrnin pjesë dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, dhe presidenti i nderit i Federatës, Akademiku Gudar Beqiraj.
Por dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, si presidenti Viron Bezhani, e të tjerë. Në sallë për të zgjedhur presidentin e ri të peshëngritjes shqiptare dhe kryesinë e re ishin përfaqësuesit e klubeve të Flamurtarit, Studentit, Shtërmenit, Tiranës, Vllaznisë, Teutës, Apolonisë etj.