AlbanianSport.com 20/12/2017 10:25
ASNN – Peshëngritja shqiptare do ta mbyllë vitin 2017 me Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, kampionati do të nisë në ora 12:00 për të përfunduar në mbrëmje.
Por ndryshe nga çfarë mendohej nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, është mësuar që ata të cilët morën pjesë në Botërorin e Amerikës nuk do të jenë në këtë garë. Dhe këtu bëhet fjalë që nga kampionia dhe nënkampionia e Botës, Romela Begaj, e të gjithë me radhë Briken Calja, Erkand Qerimaj, Evangjeli Veli dhe Krenar Shoraj.
Madje, nga Gjoza është mësuar se Qerimaj ka pasur dëshirën të jetë në këtë garë. “Por për ne, – thotë i pari i peshëngritjes shqiptare, – më i rëndësishëm është Kampionati Evropian, i cili do të zhvillohet në fund të marsit dhe në fillim të prillit të vitit të ardhshëm, në Tiranë. Në këto kushte, ne duhet t’i ruajmë sportistët, sepse një dëmtim na prish të gjithë planet për të marrë medalje në këtë Evropian.”
“Është kampionat që ne e kemi në kalendarin vjetor dhe që duhet bërë për të marrë dhe formën e sportistëve të tjerë”, – ka përfunduar Gjoza. Por në këtë kampionat do të jenë dhe disa talente të reja të peshëngritjes, të cilët janë si të ardhmes për sportin e shtangës në vend. Ndaj kampionati i të rriturve në peshëngritje sot në Durrës është test për të gjithë, pse jo dhe për këta të rinj.