AlbanianSport.com 24/11/2018 18:05
ASNN – Kampionati i të Rinjve me surpriza të mëdha, vijnë dy skuadra nga Bullgaria e Greqia. Me rastin e festave të nëntorit, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, do të organizojë Kampionatin Kombëtar të Të Rinjve, me pjesëmarrje të gjerë të sportistëve deri në 20 vjeç. Sipas informacioneve që ka përcjellë organizmi që qeveris shtangën në vend, kanë konfirmuar deri tani pjesëmarrjen 14 klube dhe pritet të jetë një super-veprimtari, sa i takon ambicieve për trofe dhe njëherësh rezultatet, ku synimet janë për rekorde kombëtare të moshave.
Ajo që e bën të veçantë këtë veprimtari është se për herë të parë në një veprimtari të tillë do të ketë pjesëmarrës edhe dy ekipe jashtë Shqipërisë, bëhet fjalë për një ekip bullgar dhe një ekip grek, gjë që shton tej mase interesin dhe rivalitetin. Presidenti i FSHP-së, Theodhor Masllavica, ka inspektuar ditët e fundit palestrat ku stërviten të rinjtë dhe ka entuziazmuar së tepërmi drejtuesit e klubeve, sepse do të ketë medalje dhe shpërblime për të gjithë fituesit.
Nga inspektimi ka rezultuar se ka plot të rinj me talent që po stërviten fuqishëm për sukses, por ekipi privat “Masglass” së bashku me klubet e Tiranës dhe Shtërmenit kanë më shumë shanse për trofe. Pas veprimtarisë në fjalë, në dhjetor do të zhvillohet dhe takimi vjetor, pra asambleja vjetore, ku do të analizohet puna e vitit 2018, do të bëhen propozime për kryesinë dhe do të ketë dhe një pasqyrim të aktiviteteve, arritjet dhe mangësitë, por edhe një pasqyrë financiare të Federatës.