AlbanianSport.com 22.01.2015 18:10
ASNN – Çështja e peshëngritjes shqiptare, e cila është goditur gjatë dy muajve të fundit nga rastet e njëpasnjëshme të dopingut, ka marrë një tjetër goditje sot, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, ka dhënë dorëheqjen. Një gjë të tillë, nr. 2 i organizmit që qeveris shtangën shqiptare e ka konfirmuar ekskluzivisht për AlbanianSport.com nëpërmjet linjës telefonike.
“Po, është e vërtetë që i kam paraqitur dorëheqjen presidentit të Federatës, Elez Gjoza, si dhe ka njoftuar edhe Drejtorinë e Sportit në Ministrinë e Arsimit për këtë vendim”, – ka pohuar Berisha, i cili ka theksuar se ky është një vendim personal. “Ndjej përgjegjësi morale për skandalin e dopingut që përfshiu peshëngritësit shqiptarë, – ka vijuar ish-peshëngritësi i mirënjohur.
“Unë besoj që ata janë të pafajshëm, por gjithë suksesi i arritur me mund dhe djersë pas dy viteve punë, u shemb me njëherë. Një gjë e tillë nuk më la një shije të mirë dhe vendosa që të largohem nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes”, – ka përfunduar Muharrem Berisha, duke folur për AlbanianSport.com. Pas Arbër Çerçizit më herët, gjatë 2014-tës rezultuan me doping edhe Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli.