AlbanianSport.com 24/01/2019 21:35
ASNN – Romela Begaj pezullohet 8 vjet për doping, nuk e justifikoi përdorimin e substancës stanozolol. Romela Begaj është pezulluar nga Federate Botërore e shtangës me 8 vjet, si pasojë e daljes pozitive në testin anti-doping të bërë gjatë Kampionatit Botëror të vitit 2017. Edhe pse ka një vit që endet në panelin e drejtësisë së Federatës Botërore të Peshëngritjes, sportistja nuk ia doli të japë prova të mjaftueshme për të vërtetuar pafajësinë e saj.
Dokumenti i ndëshkimit të saj me 8 vjet përjashtim nga veprimtaritë sportive ka mbërritur në zyrat e Federatës Shqiptare të Shtangës dhe është bërë publik tashmë, por duhet thënë se masa e penalizimit është e rëndë, e cila lidhet me përsëritjen e fenomenit. Dihet që Begaj ka qenë e dënuar për përdorim dopingu, me të njëjtën substance (stanozolol), një dënim dyvjeçar, të cilin e shleu, por dalja sërish me doping sjell pasoja të rënda.
Me këtë ndëshkim, sportistja që tani është 33-vjeçare, i bie të lirohet nga penalizimi në një moshë më të madhe që e bën të papërshtatshëm kthimin në palestra. Pra, ky vendim sjell edhe mbylljen e karrierës së një prej sportisteve më cilësore shqiptare dhe një sportiste që i ka sjellë vendit shumë medalje nga veprimtaritë ndërkombëtare të shtangës.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Peshëngritjes shfrytëzoi një takim me sportistët për t’u bërë atyre testin anti-doping aty për aty, një veprim i beftë dhe pa paralajmërim, që vjen si një masë parandaluese për pjesëmarrjet në veprimtaritë ndërkombëtare. Fundja, lufta kundër dopingut ka qenë një nga pikat kryesore dhe prioritetet e presidencës aktuale të FSHP-së.