AlbanianSport.com 25/05/2018 15:15
ASNN – Peshëngritja e femrave ka pasur një rikthim në pedanë. Dhe ajo është Sherjana Ruci, e cila ka bërë një garë të shkëlqyer në peshën 63 kilogram, teksa është kthyer pas gati pesë vjetësh në garë. Ajo mbron ngjyrat e Tiranës dhe për të gjithë paraqitjen e saj është vlerësuar si sportistja më e mirë e veprimtarisë.
Por nuk duhet harruar as Shqiponja Brahja, 45-vjeçarja që vazhdon të bëjë epokë në peshëngritjen e femrave dhe me shumë rezultat. Sherjana Ruci ka rrëfyer garën e saj, ndërsa ka kaluar një periudhë të vështirë dëmtimesh. “Kisha gati 5-6 vjet që kam kaluar dëmtime”, – ka theksuar ajo.
“Por nuk duhet të harrojmë që edhe kushtet nuk kanë qenë të mira për garim, – ka vijuar shtangistja. – Tanimë me ardhjen e presidentit Theodhor Masllavica besoj se gjërat do të shkojnë në vendin e duhur. Jam në superformë dhe shpresoj të kem rezultate dhe në garat ndërkombëtare.”
Për Brahjen, peshëngritja është jeta e saj, edhe pse është 45 vjeç. “Unë do të garoj sa të kem jetën”, – ka theksuar sportistja veterane, e cila nuk e ka fshehur se synimi i saj është rikthimi në pedanën ndërkombëtare: “Gara shkoi mirë dhe jemi duke u përgatitur për Botërorin për të bërë më të mirën”.