AlbanianSport.com 26.09.2014 19:55
ASNN – Ditë të mira për peshëngritjen durrsake. Pak muaj më parë me një kontingjent sportistësh të përgjysmuar nga dëmtimet e shumta, Teuta arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë. Forma e mirë e peshëngritësve durrsakë u konfirmua edhe të shtunën në Tiranë, kur ekipi i drejtuar nga trajneri Besnik Psatha u shpall “kampion” i Shqipërisë. Vlen për t’u veçuar forma shumë e mirë e sportistëve Bruno Nuho në peshën 56 kg dhe Sopot Sulës në peshën 94 kg.
Sipas trajnerit Psatha, 18-vjeçari Sula është e ardhmja e shtangës shqiptare dhe thekson se forma e tij do të jetë gjithnjë e në ngritje. “Në Kampionatin Kombëtar, ndryshe nga Kupa e Shqipërisë ku kishim disa mungesa të rëndësishme, djemtë ishin të gjithë në formë optimale, – ka deklaruar trajneri durrsak. – Në një mënyrë u befasova nga rezultatet e Nuhos dhe Sulës, pasi që të dy vinin nga një periudhë e gjatë dëmtimesh dhe nuk mendova që do të arrinin aq shpejt ato rezultate.”
“Gjithsesi dua të theksoj se të dy janë sportistë me të vërtetë me nivel dhe kam shumë besim që të dy mund të jenë pjesë e ekipit kombëtar të të rriturve në aktivitetin më të afërt që do të përfaqësohet vendi ynë, – ka vijuar ai. – Dua të veçoj disi Sopot Sulën, të dhënat e të cilit janë vërtet befasuese. Është vetëm 18 vjeç dhe po arrin rezultate impresionuese. Madje, mund të them se në Kampionatin Evropian të Të Rinjve, që do të mbahet në fund të nëntorit në Qipro, do të jetë një ndër pretendentët kryesorë për medalje.”
“Aktualisht në ekip kam disa djem me të dhëna shumë të mira dhe pa asnjë dyshim e them që edhe për disa kohë Teuta do të jetë sërish kampione e vendit”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Besnik Psatha.