Gjergj Vyshka 05.12.2016 08:45
Emanuel Lushi, për shkak të problemeve shëndetësore, ka dështuar në Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve, që është duke u zhvilluar në Eliat të Izraelit. Edhe pse paraqitja e tij në stërvitje parashikonte hyrjen në zonën e medaljeve në peshën 62 kg gjërat duket se nuk kanë shkuar sipas parashikimeve.
Lushi ka qenë i deklaruar në dygarësh në listën e regjistrimit për peshën 62 kg me 261 kg. Dhe e gjithë kjo paraqitje dhe përgatitje e ka lejuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që ta dërgojë Lushin në Izrael. Por, të paktën sipas të atit, ka qenë i pamundur për këtë garë pavarësisht dëshirës për të dhënë më të mirë.
“Me të thënë të drejtën, – rrëfen i ati i sportistit, – tre ditë përpara se të nisej me Izrael ka qenë me gjendje gripale dhe me ilaçe. Madje me bajame dhe me temperaturë. E megjithatë ka bërë të pamundurën për të dhënë gjithçka në këtë garë”. Por Lushi nuk ka mundur të realizojë tre provat e tij në stilin e shkëputjes me 110 kg.
Ndërsa vetëm në shtytje është renditur, me 135 kg të ngritura në provën e parë, ndërsa i ka djegur dy të tjerat. Veçse për shkak të dështimit në stilin e shkëputjes, Lushi nuk ka mundur të klasifikohet në dygarësh në peshën 62 kg për të rinj duke e mbyllur këtë veprimtari për peshëngritjen shqiptare.