Gjergj Vyshka 15.11.2014 10:25
Delegacioni shqiptar i peshëngritjes, i cili e mbylli në mënyrën më të mirë Kampionatin Botëror të Të Rriturve në Almatit të Kazakistanit, ka zbritur të premten mbrëmje në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Mes një feste të madhe dhe një pritje gjigante sidomos nga mbështetësit e Daniel Godellit dhe Romela Begajt, Kampionët e Botës në peshëngritje janë pritur dhe nga Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla.
Ajo i siguroi sportistët për vijimin e investimeve në peshëngritje, duke theksuar: “Ëndrra jonë u bë në realitet. Sot është në festë e gjithë Shqipëria. Do të vijojnë investimet tona në peshëngritje.”
“Do të ndërtojmë në Peqin një palestër moderne”, – deklaroi ministrja Nikolla. Ministrja u shpreh se nuk do të ketë më sportistë që nuk do të marrin shpërblimin e tyre për arritjet në sport.