AlbanianSport.com 25/05/2018 13:25
ASNN – Nderohen Esat Ademi dhe Namik Gjylja. Gara interesante mes Caljes dhe Hoxhës, apo Godellit dhe Shorajt. Mungon Erkand Qerimaj për shkak dëmtimi. Ceremonia e hapjes së Kupës së Shqipërisë për Të Rritur ka nisur nëpërmjet valleve popullore për të kaluar më pas në Mirënjohjet që Federata Shqiptare e Peshëngritjes kishte përgatitur. Fillimisht për ish-presidentin Esat Ademi, si dhe ish-peshëngritësin Namik Gjylja, që në fakt e ka cilësuar një vlerësim të vonuar.
Por në fund të fundit, tashmë Federata Shqiptare e Peshëngritjes është duke u kujtuar për figurat e saj. Për mbi 12 vjet, Federata Shqiptare e Peshëngritjes është drejtuar nga Esat Ademi, që numëron plot 188 medalje ndërkombëtare. Për këtë arsye ai është nderuar nga Federata aktuale me Mirënjohje, ndërsa Ademi, duke folur për mikrofonin e transmetuesit zyrtar të veprimtarisë, RTSH, do të deklaronte: “Për mua është vlerësim për punën që unë kam bërë.”
“E falënderoj Federatën aktuale të Peshëngritjes për të gjithë këtë masivitet që ka dhe mendoj se me Masllavicën në krye do të eci përpara, – ka theksuar në vijim presidenti më i suksesshëm i shtangës shqiptare. – Për mua peshëngritja duhet të jetë në Lojërat Mesdhetare, si sporti i vetëm që i jep medalje në Shqipëri”.