Gjergj Vyshka 24.09.2015 12:30
Të mërkurën pasdite, në palestrën e fshatit Shtërmen, kombëtaret e moshave të peshëngritjes, të cilat do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian, që zhvillohet në Klaipedia të Lituanisë, nga data 1, deri më 10 tetor, kanë zhvilluar garën e tyre të kontrollit. Në këtë garë kontrolli ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, Sekretari i Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, si dhe Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska.
Shtangistët e pranishëm në garat e tyre në stilin e shkëputjes dhe shtytjes kanë bërë prova të mira, aq sa kanë fituar duartrokitjet e presidentit Gjoza dhe kryebashkiakut Toska. Siç dihet për Shqipërinë në Evropianin e Lituanisë do të marrin pjesë Emanuel Lushi, në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg, Alban Hoxha në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg dhe Krenar Shoraj në kategorinë e peshës trupore deri në 85 kg.
Pas përfundimit të garës së kontrollit, presidenti Elez Gjoza është shfaqur i kënaqur, ndërsa ka deklaruar: “Ne do të synojmë për medalje në të 3 peshat me 3 sportistët që kemi dhe jam i sigurt që do t’ia dalim mbanë duke e ngritur sa më lartë flamurin shqiptar në Lituani. Përkushtimi është i madh dhe kjo vihet re edhe në punën e trajnerëve Ilir Çela dhe Leonard Toska, të cilët vazhdojnë të tregojnë se janë specialistë të zotë të sportit tonë.”
“Të gjithë sportistët do të bëjnë testin e antidopingut, sepse nuk duam të kemi probleme në gara, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Falënderoj shumë kryetarin e Bashkisë Cërrik, Altin Toska, për kushtet e krijuara. Dhe s’më mbetet gjë tjetër, vetëm t’i uroj suksese ekipit në Lituani.” Edhe kryebashkiaku Toska është treguar i lumtur që ekipi kombëtar i peshëngritjes është grumbulluar në Cërrik, duke shprehur besimin për paraqitje të mirë të sportistëve kuqezi në Klaipeda.
“Kam besim që këta sportistë, me ndihmën e madhe të dy trajnerëve Çela dhe Toska, do t’ia dalin dhe do të kthehen në Shqipëri me shumë medalje, – ka thënë ai. – Unë jam i bindur që edhe Briken Calja në Botërorin e Amerikës do të marrë medalje”. Trajneri Çela, i cili edhe më parë ka folur për medalje, ka treguar se është në ditët e fundit të kolaudimit të ekipit. “Ne do t’ia shpërblejmë të gjithëve me medalje për këtë përkujdesje që kemi pasur në Shtërmen”, – ka përfunduar Çela.