Gjergj Vyshka 09.11.2016 12:30
Njëri nga kandidatët për president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në zgjedhjet e 12 nëntorit 2016 në Vlorë dje ka shpallur platformën e tij: “Programi im për shtangën në periudhën 2016-2020”. “Gjatë mandatit katër vjeçar do të financojmë nevojat e Federatës që nuk mbulohen nga “grant”-i i Ministrisë dhe do të plotësojmë të gjitha nevojat, të cilat deri më sot kanë cenuar funksionimin e Federatës”, – ka premtuar ai, duke iu referuar një çështjeje të mprehtë, si financat.
“FSHP-ja nuk duhet të vuajë për të pasur financime, të cilat plotësojnë nevojat elementare sportistëve, – ka vijuar biznesmeni i sukseseshëm. – Burokracia e tepruar e funksionimit duhet të mbarojë dhe gjatë mandatit tim do të eliminoj çdo mungesë financimi duke përmbushur të gjitha nevojat e FSHP-së”. E në këtë mënyrë Masllavica ka premtuar dhe thithje të sponsorëve, ndërsa ka deklaruar edhe planin e tij në këtë drejtim.
“Do të angazhojmë dhe do ta bëjmë atraktive FSHP-në për të përthithur sponsorizime, të cilat duhet t’i përfitojnë sportistët, – ka thënë ai. – Ne do ta ndryshojmë këtë situatë dhe do të sigurojmë sponsorizime që do të shkojnë për sportistët”. E më tej akoma, gjithnjë sipas kandidatit për president, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të ketë edhe më shumë transparencë. “Problemi kryesor që ka FSHP është mungesa e transparencës”, – ka pohuar kandidati për president të FSHP-së.
“Në mënyrë të menjëhershme me marrjen e detyrës do të bëj transparente të gjithë veprimtarinë e FSHP-së dhe, në vijim kjo federatë do të aplikojë standardin e Federatës me dyer të hapura”, – ka përfunduar Masllavica.