Gjergj Vyshka 15.04.2016 08:45
I dyti në stilin e shtytjes me 190 kg, por dhe i 6-ti në stilin e shkëputjes me 150 kg, në total 340 kg në dygarësh, peshëngritësi Krenar Shoraj duket se ka bërë paraqitjen më të mirë të shqiptarëve në Fjorde të Norvegjisë. Në shkëputje, ai e ka nisur jo mirë me mosarritjen e ngritjes së shtangës në peshën 145 kg. Gjë të cilën e ka realizuar në provën e dytë. Dhe në të tretën, teksa është përsëri i suksesshëm, ka ngritur 150 kg dhe për rrjedhojë është në vendin e 6-të.
Në shtytje e ka nisur përsëri mirë me 187 kg. Po kështu ka vijuar edhe në provën e dytë, teksa ka realizuar 190 kg. Dhe me dëshirën për të kapur vendin e parë jo vetëm në shtytje, por dhe dygarësh, ka tentuar 196 kg. Sepse vetëm kështu do të ishte baraz me armenin Agasi Agasian në dygarësh me 346 kg. Armeni në shkëputje kishte ngritur 153 kg dhe ishte i dyti, ndërsa në shtytje 193 kg dhe ishte i pari. 83 kilogram e 980 gram ishte Shoraj në peshën trupore, kurse armeni Agasian 84 kilogram e 810 gram.
Pra peshëngritësi jonë ishte 830 gram më i lehtë se armeni. Por shtanga nuk i është bindur shpatullave të tij dhe 196 kilogram nuk është realizuar. Përfundimisht me 190 kilogram është i dyti në stilin e shtytje dhe me 340 kilogram i treti në dygarësh në Baterinë B, që do të thotë një paraqitje shumë e mirë. Sepse është e sigurt që Shoraj do të jetë brenda 10-shes së parë të peshës 85 kilogram dhe, pse jo, edhe pranë zonës së medaljes.