AlbanianSport.com 13.02.2016 08:35
ASNN – Dje pasdite, rreth orës 17:15, kombëtarja e peshëngritjes, e cila është duke u përgatitur në Shtërmen për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të të rriturve në Oslo, ka zhvilluar garën e parë të kontrollit. Në të kanë qenë 15 shtangistë, ndërsa prezent kanë qenë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe sekretari i përgjithshëm Agron Haxhihyseni, pa harruar edhe disa deputetë.
Por prezent në këtë garë ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska, drejtori i përgjithshëm i rrugëve Dashamir Xhika, prefekti i Elbasanit, Arben Kamami, kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini. Madje dhe deputetët Anastas Angjeli dhe Evis Kushi. Të gjithë këto figura të politikës kanë premtuar që do ta mbështesin fuqishëm kombëtaren e peshëngritjes në mënyrë që ajo të arrijë rezultate pozitive në Norvegjisë.
Jo vetëm kaq, por ata janë shprehur se do të jenë në krahë të sportistëve për çdo problem që do të kenë, pasi ata krenohen me peshëngritjen. Gara e kontrollit ka rezultuar shumë e mirë për të gjithë sportistët, atje ku kanë spikatur Briken Calja dhe Endri Karina, kurse për vajzat Evangjeli Veli. Presidenti i peshëngitjes shqiptare, Elez Gjoza, është shprehur se ekipi është duke u përgatitur intensivisht për Evropianin e Oslos në Norvegji.