AlbanianSport.com 14.11.2014 21:15
ASNN – Kampionët e botës, Daniel Godelli dhe Romela Begaj, së bashku me delegacionin kuqezi, janë kthyer të premten në mbrëmje në atdhe dhe atyre u është rezervuar një pritje e ngrohtë nga dashamirësit dhe sportdashësit në aeroportin e Rinasit.
Në konferencën për shtyp, të mbajtur me këtë rast, Godelli ka deklaruar se objektivi i radhës është medalja olimpike, ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka garantuar mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar. Ai nuk e ka problem të ngrejë qindra kilogramë, por duket se mikrofoni e tremb.
Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka sjellë një detaj mjaft domethënës për të vlerësuar arritjen e shtangistit kuqezi. Kampioni i parë shqiptar i botës në histori, Daniel Godelli, ka mbërritur të premten në atdhe dhe menjëherë i ka hedhur sytë drejt misionit të radhës.
Dhe në këtë mision të tij, ai dhe delegacioni shqiptar që u kthye në Tiranë pas triumfit të arritur në Botërorin e Kazakistanit, kanë marrë mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar, sikundër e theksoi edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Ndërsa kampionia e botës në shkëputje, Romela Begaj, ka shprehur mirënjohjen për mbështetje që i është dhënë këtij sporti gjatë këtij viti.
Më pas, delegacioni kuqezi është përshëndetur me sportdashësit që kishin ardhur në Rinas për të pritur kampionët e rinj të botës.