Gjergj Vyshka 25.02.2017 11:15
Tirana është treguar e hekurt edhe në shtangë duke konfirmuar dominimin e saj në këtë sport. Sepse më parë ka qenë edhe kampione, po në Durrës, më 19 dhjetor, ndërsa tanimë, me një sërë emrash që kanë ardhur nga klubi i “Masglass”-it, bëhet dhe më e fortë. Mjafton të përmendesh Daniel Godellin dhe Evangjeli Velin, dy sportistët më të mirë të aktivitetit, dhe bindet që bardheblutë do të vazhdojnë të dominojnë në peshëngritje.
Dhe në fakt, Ilir Suli, që tashmë është trajneri i Daniel Godellit, e kishte paralajmëruar që dy ditë më parë për spektaklin e peqinasit në pedanë. Ai është kthyer më i fortë se kurrë pas dy vjetësh mungesë për shkak të problemeve të dopingut në masë pas Botërorit të Kazakistanit më 2014-ën dhe premton që do të jetë i tillë dhe në Evropianin e të rriturve në Split, më 2-8 prill. Po kështu duhet parë edhe Evangjeli Veli, e cila ishte në vendin e 8-të në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Po pse jo dhe Roalb Kuqja, Romario Avdiraj, Kristi Ramadani, Erkand Qerimaj, që në shtytje e ka mbyllur vetëm me një provë të realizuar me 190 kg, Ermand Tabaku, Endri Karina dhe Edison Elmazi. Për femra duhet pritur nga Ana Jovani, Julia Alihasani, Françeska Karanxha, Elona Allmuça dhe Marsinda Dini. Nuk duhet harruar që ka munguar Romela Begaj, e cila vijon përgatitjet e saj në Qipro.