AlbanianSport.com 11.11.2014 18:50
ASNN – Kampionati Botëror i Peshëngritjes, që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit, do të kulmojë për të gjithë shqiptarët të mërkurën, me konkurrimin e Daniel Godellit dhe Erkand Qerimajt në peshën 77 kg. Dy kampionët e shtangës shqiptare do të nisin garën të mërkurën në orën 14.00 dhe Godelli pretendon të fitojë titullin “kampion bote”, sipas peshës që ka deklaruar fillimisht.
Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj do të ngjiten të mërkurën në arenën e botërorit të peshëngritjes që po zhvillohet në Almati të Kazakistanit. Dy peshëngritësit shqiptarë konkurrojnë në baterinë A të peshës 77 kg. Ajo që bie në sy është pesha prej 372 kg në dygarësh e deklaruar nga Daniel Godelli. Ky Botëror është kualifikues për në Lojërat Olimpike të vitit 2016.
Të gjitha garat e këtij botërori po transmetohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe të gjithë sportdashësit mund ta ndjekin konkurrimin e dy kampionëve të shtangës shqiptare të mërkurën në orën 14.00.