Gjergj Vyshka 17.10.2014 15:25
Deklarata e “kampionit të botës”, Daniel Godelli: Në Evropian për kurajë për kolegët e mi. Ku do të garoj jam për medalje, në të tjerat bëj tifozin. Është stërmundim i madh pas Botërorit që ta bëj edhe këtë garë në Limasol të Qipros.”
Në lidhje me Evropianin e Nën-23-vjeçarëve që është në prag, por dhe objektivat e së ardhmes, kampioni i parë shqiptar i botës, Daniel Godelli, ka dhënë këtë intervistë për “Gazeta e Sportit”.
– Është bërë e ditur nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes se do të jesh dhe në Evropianin e Nën-23-vjeçarëve, që do të mbahet nga data 20, deri më 29 nëntor në Limasol të Qipros. Cilat janë objektivat?
– Po është e vërtetë që jam për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Nën-23-vjeçarëve në Qipro. Por nuk besoj se do të bëj garë atje, sepse do të ishte një stërmundim i madh pas Botërorit që të konkurroja dhe për Nën-23-vjeçarët. Nëse do të shkoj, do të jem thjeshtë për kurajë për pjesën tjetër të ekipit, teksa shpresoj shumë që ata të sjellin medalje.
– Çfarë ndjesie është të jesh si “kampion bote” në një Evropian të Nën-23-vjeçarëve? Nëse nuk merr pjesë a nuk është një minus i madh për ty?
– Nuk ka pse të jetë minus për mua, aq më tepër që kam thyer të gjitha rekordet evropiane me flamurin shqiptar. Të gjithë e dinë tashmë statusin tim të “kampionit të botës” dhe askush nuk mund ta marrë për keq pse nuk marrë pjesë në një Kampionat Evropian të Nën-23-vjeçarëve. Mos harroni, ashtu sikurse e kam thënë dhe herë të tjera pas kthimit nga Kazakistanit, që të sillja ato medalje të arta nga Botërori është dashur një punë e madhe dhe të harroj gjithçka. Unë jam krenar për të gjitha medaljet e mia, ashtu sikurse është krenar me mua i gjithë vendi. Nëse do të ishte në një kohë tjetër mund të merrja pjesë në këtë Evropian. Por tani, thuajse është e pamundur.
– “Nënkampion Evrope” dhe më pas “kampion bote”. A ndjehet i plotësuar për vitin 2014 Daniel Godelli, apo mungon diçka?
– Sigurisht që jam i plotësuar dhe nuk besoj se mungon gjë. “Nënkampion Evrope” në prill në Izrael dhe tani “kampion bote” janë dy “maja” që nuk mund të arrihen lehtë. Por sigurisht që unë nuk kam përfunduar ende. Kam ende për të thënë, kur ëndrra më e madhe është medalja në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Megjithatë me të parë e me të bërë. Por për sivjet jam më shumë se sa i plotësuar.
– Së fundmi, për 2015-ën janë Kampionati Evropian, Kampionati Botëror dhe Lojërat Olimpike Evropiane në Baku. Sërish me medalje në këtë treshe aktivitetesh?
– Kudo që do të marrë pjesë garantoj që do të sjellë vetëm medalje. Në të tjerat bëj tifozllëk për pjesën tjetër të ekipit, ashtu sikurse ata më kanë mbështetur mua kudo, sidomos në Kazakistan. Duke iu kthyer dhe një herë Evropianit të Nën-23-vjeçarëve, besoj se do të shkojë sa për kurajo për të gjithë ekipin shqiptar.