Gjergj Vyshka 17.10.2014 12:05
Daniel Godelli, Kampioni i Botës në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh në peshën 77 kg, është i planifikuar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes për t’u ngjitur sërish në pedanë. Këtë herë në Kampionatin Evropian të Nën-23-vjeçarëve, i cili zhvillohet në Limasol të Qipros, nga data 20, deri më 29 nëntor. Së bashku me Godellin, po për Nën-23-vjeçarët, do të jetë edhe Hysen Pulaku, i cili konkurroi në Botërorin e Kazakistanit në peshën 85 kg dhe zuri vendin e dhjetë.
Kurse për të rinj do të jenë Aleks Kaçamo dhe Sopot Sula në peshën 94 kg, edhe ky i fundit pjesëmarrës në Botërorin e Kazakistanit. Parë kështu, kur tre janë sportistë të cilët kanë marrë pjesë në Botërorin e të rriturve në Almati, ndërsa përgatitja e gjatë dhe stërmundimi ka qenë i madh, Shqipëria rrezikon të jetë vetëm me një konkurrent. Sepse edhe vetë Kampioni i Botës e sheh të pamundur pjesëmarrjen e tij në këtë Evropian, pasi lodhja tashmë bën të veten.
Nuk duhet harruar që jo vetëm Godelli, por të gjithë pjesëmarrësit e Botërorit të të rriturve janë të lodhur, çka nuk do të jetë çudi që edhe ndonjë tjetër të refuzojë pjesëmarrjen e tij në këtë Evropian të Nën-23-vjeçarëve dhe Të Rinjve, i cili mbahet në Qipro. Dhe nëse ndodh kjo atëherë i bie që për Shqipërinë të jenë në garën evropiane të të rinjve vetëm Kaçani. Trajnerët të kuqezinjve do të jenë Sokol Bishanaku dhe Kastriot Rukaj, kurse shef delegacioni Agron Haxhihyseni.