AlbanianSport.com 28.03.2016 17:50
ASNN – Ekipi kombëtar i peshëngritjes ka kryer gjatë fundjavës garën e fundit të kontrollit në prag të nisjes për në Kampionatin Evropian. Shtangistët kanë dhënë rezultatet e tyre, të cilat janë mjaft të mira, vlerësuar këto nga komisioni.
Sipas presidentit të FSHP-së, Elez Gjozaj, në Evropian synojnë tre vendet e para. Pjesëmarrja në kampionatin Evropian të Peshëngritjes që do të zhvillohet në Norvegji, është shumë e rëndësishme për Federatën Shqiptare, pasi është kualifikues për në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Për të arritur objektivin e kualifikimit, FSHP e ka grumbulluar ekipin kombëtar prej më shumë se dy muajsh në Shtërmen. Presidenti i Federatës sonë të Peshëngritjes, Elez Gjozaj tregon për objektivat pas garës së fundit të kontrollit që bënë sportistët.
Evangjeli Veli, është një nga peshëngritëset që synon të sjellë medaljen e artë në Shqipëri. Edhe kampioni i shumëfishtë i shtangës shqiptare, Erkand Qerimaj, kërkon një vend në podiumin e nderit në Evropianin e Norvegjisë.
Kampionati Evropian i Peshëngritjes do të zhvillohet në Norvegji dhe do të nisë në datën 9 prill, për të përfunduar pas një jave.