AlbanianSport.com 05.04.2015 11:35
ASNN – Edhe pas shpalljes së dënimit për tre sportistët tanë nga paneli dëgjimor i Lozanës, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, këmbëngul në pafajësinë e sportistëve shqiptarë që rezultuan pozitivë ndaj substancës stanozolol në testet e antidopingut. Ndërsa në muajin dhjetor, pas kontaktit që pati në Athinë me vetë trajneri për çështjen e shumëpërfolur, aludoi për një konspiracion grek, apo edhe botëror ndaj tyre, dje presidenti Gjoza ka vënë direkt gishtin ndaj Luan Shabanit si personin përgjegjës.
Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, kreu i shtangës u shpreh se shkaktari i këtij fenomeni ka qenë vetëm Luan Shabani. Mes të tjerash, presidenti Gjoza miratoi edhe akuzat e ngritura nga Godelli në adresë të Shabanit si tradhtar ndaj Kombëtares shqiptare. Por “bomba” e radhës së Gjozës ka qenë se personi në fjalë do të ndiqet penalisht. “Luan Shabani është personi përgjegjës për këtë fenomen që preku peshëngritjen shqiptare, – ka thënë ai për të përditshmen sportive shqiptare në fjalë. – Dhe për këtë nuk ka dyshime.”
“Pra, e përsëris është personi direkt për atë çfarë ka ndodhur, – ka vijuar ai. – Ne e kemi ndjekur me kujdes situatën dhe nuk përjashtohet mundësia që ai tashmë të mbajë edhe përgjegjësi ligjore. Federata e ka marrë në konsideratë si opsion.” I pyetur nëse kanë qenë në kontakt me trajnerin Shabani, Gjoza sqaroi se federata e ka pasur të pamundur të lidhet me të, duke shtuar: “Mendohet që është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që deri momentin që flasim, ju konfirmoj zyrtarisht se kontakti na ka munguar. Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe, ne si komunitet, staf drejtues apo edhe sportistë i kemi kërkuar Luan Shabanit të na japë shpjegimet se cila është e vërteta”.