AlbanianSport.com 18.10.2014 20:00
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, deklaroi se të gjithë peshëngritësit medalistë janë likuiduar me shpërblimet e prapambetura prej disa vitesh për medaljet e fituara në arenën ndërkombëtare. Njëherësh në fjalën e tij bëri apel për më shumë mbështetje nga sponsorët për medalistët botërorë. Mes të tjerash, kreu i shtangës kuqezi shtoi se do t’u kërkojë drejtuesve të shtetit për më shumë përkrahje, ndërsa pranoi vështirësitë financiare që po kalon vendi.
“Unë jam me këmbë në tokë dhe e shoh edhe buxhetin e krizën ekonomike që ka pas rajoni dhe vendi ynë, – deklaroi ai mbrëmë i ftuar në një studio televizive. – Dhe nuk dua të fluturoj. A kam kërkuar, a do të kërkoj? Patjetër. Do t’i kërkoj kryeministrit dhe mikut tim Ilir Meta mbështetje”. Ndërsa medalistja e artë, Begaj, shprehu emocionet pas suksesit historik të arritur. “Atë moment ishte e pamundur të mos qaja. Ishte me të vërtetë një arritje shumë e madhe”, – ka sqaruar ajo.
“Në fakt, të gjitha veprimtaritë kanë emocione, por gara në Kazakistan ishte shumë e rëndësishme për mua dhe shumë e fortë”, – ka shtuar ajo. Mbrëmjen e 14 nëntorit dy kampionët e botës, Daniel Godelli dhe Romela Begaj, së bashku me delegacionin shqiptar pjesëmarrës në Botërorin e të rriturve në Almati u pritën me shumë entuziazëm në aeroportin “Nënë Tereza”, por edhe nga shumë të afërm dhe tifozë kuqezi.
Me përfundimin e kampionatit botëror, për momentin, Federata Shqiptare e Peshëngritjes deklaroi se Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike “Rio 2016″ me 6 sportistë: 5 meshkuj dhe 1 femër.